VII. RAPORTIMI NGA GJYKATA

Çështjet në gjykata janë plot me ngjarje apo histori dramatike, por gjykata parapëlqejnë të fshehin dramat. Është detyra e gazetarit ta shohë dramën që fshihet përtej procedimeve serioze dhe të rrëfejë këtë dramë për lexuesit e dëgjuesit. Pavarësisht nga fakti nëse punon për një gazetë, radio, televizion apo media online, raportimi duhet të jetë i ndershëm, faktik dhe i kujdesshëm.

Çështjet nga gjykatat kanë lidhje me histori njerëzore, dëshmi të personave të përfshirë, të dhëna personale dhe vendosin shpesh gazetarët përballë vështirësive të mëdha që lidhen me domosdoshmërinë për të qenë i paanshëm, i vërtetë dhe i balancuar.

Gazetarët nuk janë prokurorë apo gjykatës, ndaj ata duhet të kufizohen në raportimin e fakteve dhe jo impresionove apo informacioneve të paverifikuara.

7.1 Parimet për raportimet nga gjykata

E drejta e prezumimit të pafajësisë dhe e gjykimit të drejtë është e garantuar me nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe neni 30 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe duhet të respektohet në secilën shoqëri demokratike. Gjykimet në parim janë publike dhe roli i mediave është mbikëqyrja e funksionimit të sistemit penal dhe raportimi i proceseve gjyqësore. Në raste të tilla, shpesh herë paraqitet nevoja e balancimit në mes të drejtës së prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës së lirisë së shprehjes së mediave për të raportuar proceset gjyqësore.

Komiteti i Ministrave përmes Rekomandimit (2003)13 mbi dhënien e informacionit nëpërmjet mediave në lidhje me proceset penale ka paraparë disa parime të vlefshme për të drejtat dhe detyrimet e autoriteteve shtetërore dhe të gazetarëve gjatë raportimit të rasteve penale. [i] Ato janë të elaboruara në vijim.

  • Informimi i publikut përmes mediave – publiku duhet të informohet përmes mediave për aktivitetet e autoriteteve gjyqësore dhe të policisë. Gazetarët duhet të kenë të drejtë që lirshëm të raportojnë dhe komentojnë zhvillimet në sistemin penal, duke respektuar kufizimet ligjore.
  • Prezumimi i pafajësisëP – ky parim është pjesë integruese e të drejtës për gjykim të drejtë, prandaj informatat për procedura penale të hapura duhet të komunikohen përmes mediave vetëm kur një gjë e tillë nuk paragjykon pafajësinë e të dyshuarit apo të akuzuarit.
  • Saktësia e informacionit – autoritet gjyqësore dhe policore duhet t’u ofrojnë mediave vetëm informata të verifikuara ose informatat që janë të bazuara në dyshime të arsyeshme.
  • Qasja në informacion – autoritetet gjyqësore dhe policore duhet tu ofrojnë informata të gjithë gazetarëve që kërkojnë informacione, pa diskriminim. Informatat, kur është e mundur, duhet të ofrohen përmes komunikatave për media, konferencave apo metodave të tjera të ngjashme. Kur rastet penale zgjasin më gjatë, informatat duhet të ofrohen rregullisht.
  • Mbrojtja e privatësisë – dhënia e informacioneve për personat e dyshuar, të akuzuar apo të dënuar dhe për palët tjera të përfshira në procese penale duhet të bëhet në pajtim me të drejtën e mbrojtjes së privatësisë. Mbrojtje e veçantë duhet t’u kushtohet grupeve të vulnerabël sociale, viktimave, dëshmitarëve dhe familjeve të të dyshuarve, të akuzuarve dhe të dënuarve.
  • E drejta e korrigjimit dhe e përgjigjes – të gjithë personat që janë subjekt i raportimeve shpifëse në kontekst të procedimeve penale gëzojnë të drejtën e korrigjimit dhe të përgjigjes. E drejta e korrigjimit duhet të respektohet edhe kur bëhet ndonjë gabim përmes komunikatave për shtyp të lëshuara nga autoritetet gjyqësore ose policore.
  • Parandalimi i ndikimit paragjykues - në kontekst të procedimeve gjyqësore, sidomos kur përfshihen juri ose gjykatës, autoritete gjyqësore dhe policore duhet të përmbahen nga dhënia e informacioneve që bartin rrezik për paragjykim të rastit.
  • Prania e gazetarëve – gazetarët duhet të lejohen në seanca gjyqësore dhe gjatë bërjes publike të vendimeve gjyqësore pa diskriminim dhe pa akreditim. Ata nuk duhet të përjashtohen nga seancat gjyqësore përveç nëse një veprim i tillë do të ishte në pajtim me të drejtën për një proces të rregullt.
  • Qasja e gazetarëve në sallat e gjykimit – autoritetet kompetente duhet të ofrojnë, përveç nëse nuk është fare e mundur, ulëse të mjaftueshme për gazetarë, pa përjashtuar publikun.
  • Raportimi live nga sallat e gjykimeve – raportimi live apo incizimi nga mediat në sallat e gjykimit duhet të bëhet i mundur përveç kur nuk është e lejuar me ligj ose nuk lejohet nga një autoritet gjyqësor. Incizimet e tilla duhet të lejohen vetëm në rastet kur raportimet e tilla nuk rrezikojnë të ushtrojnë ndikim në viktima, dëshmitarë, palë të tjera në procedure, juri apo gjykatës. [ii]
  • Mbështetja për raportimet nga mediat – autoritetet gjyqësore duhet të ofrojnë informata të vazhdueshme për gazetarë rreth orarit të mbajtjes së seancave, vendit dhe akuzave të ngritura. Gazetarët duhet të lejohen të kopjojnë vendimet gjyqësore pasi ato të shpallen publikisht në mënyrë që t’ia komunikojnë publikut.
  • Mbrojtja e dëshmitarëve – identiteti i dëshmitarëve nuk duhet të zbulohet, përveç nëse dëshmitari ka dhënë pajtimin e tij paraprakisht ose nëse dëshmia është dhënë publikisht.
  • Raportimi i mediave për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore – gazetarët duhet të lejohen të kontaktojnë personat që janë duke vuajtur dënime gjyqësore në burg, për aq kohë sa një gjë e tillë nuk ndikon negativisht në administrimin e gjyqësisë, në të drejtat e të burgosurve ose sigurinë e burgut.
  • Raportimi i mediave pas përfundimit të dënimeve – në mënyrë që të mos paragjykohet ri-integrimi në shoqëri i personave të dënuar, e drejta e tyre për privatësi duhet të përfshijë të drejtën e mbrojtjes së identitetit të këtyre personave në lidhje me veprën penale të kryer. Përjashtim nga ky parim bëjnë rastet kur të dënuarit japin pëlqim ose veprat e tyre bëhen përsëri shqetësim për publikun.
7.2 Aktgjykimet, fotografimi dhe xhirimi i seancave

Vendimet gjyqësore (aktgjykimet) në shumicën e vendeve konsiderohen dhe trajtohen si dokumente publike. Dallimi është tek pyetja sa publike duhen bërë ato. Në vendet e të drejtës zakonore anglosaksone si Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda vendimet gjyqësore të plota me emra të palëve janë kryesisht të qasshme për publikun. [iii] Në pjesën tjetër të Europës në vendet që qeverisen sipas të drejtës civile, aktgjykimet kryesisht publikohen me emra të anonimizuar të palëve për të mbrojtur të dhënat personale. [iv]

GjEDNj-ja ende nuk ka vendosur nëse emrat e palëve duhet të bëhen publike. Mirëpo, KE-ja rekomandon që gazetarët duhet të lejohen të kopjojnë vendimet gjyqësore pasi ato të shpallen publikisht në mënyrë që t’ia komunikojnë publikut. [v] Po ashtu, sipas organizatës së njohur botërore ‘Article19’ publiku duhet të dijë identitetin e palëve të përfshira dhe se përjashtimet nga kjo rregull duhet të zbatohen vetëm në raste të veçanta. [vi]

Publikimi i informacioneve gjatë kohës së hetimeve mund të rrezikojë të drejtën e prezumimit të pafajësisë dhe gjykimit të drejtë. Duke publikuar të dhëna që janë ende në procesim, të papërfunduara dhe të cilat nuk janë paraqitur në gjykatë mediat mund të krijojnë përshtypjen tek publiku se një person është fajtor ende pa u shpallë fajtor nga gjykata. Informatat e publikuara në media mund të ndikojnë edhe në gjykatës apo trup gjykues të cilët mund të krijojnë përshtypjen për rastin ende pa i shqyrtuar faktet.

Disa nga dokumentet që nuk konsiderohen publike gjatë fazë së hetimeve, publikimi i të cilave mund të rrezikojë të drejtën e prezumimit të pafajësisë së palëve të përfshira janë: vendimi për nisjen e hetimeve, deklaratat e të dyshuarve dhënë policisë apo prokurorisë, të dhënat që çojnë në identifikimin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe përgjimet telefonike. Në raste të caktuara, kur interesi publik për të ditur detaje të tilla është i lartë, gazetarët duke vlerësuar rast për rast mund të publikojnë dokumente të tilla pa u bërë ende publike në gjykatë.

Parimisht gjykatat e shkallës së parë nuk lejojnë fotografimin e palëve në gjykatë dhe xhirimin dhe transmetimin e seancave gjyqësore. Gazetarët mund të monitorojnë seancën, të marrin shënime dhe të raportojnë pa fotografi dhe incizime. Në disa juridiksione, gjykatat e instancave më të larta në raste të rëndësishme lejojnë fotografimi, xhirimin dhe transmetimin e seancave gjyqësore. Për shembull, në Britaninë e Madhe, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, në raste të caktuara lejojnë xhirimin e seancave dhe raportimin live. Në Kosovë lejohet xhirimi i seancave gjyqësore, përveç nëse gjykatësi apo trupi gjykues nuk vendosin ndryshe. [vii] Article 19 rekomandon që xhirimi dhe transmetimi i seancave gjyqësore duhet të lejohet, por se një gjë e tillë duhet të bëhet në pajtim me parimet për mbrojtjen e të dhënave personale dhe me kusht që të mos pengojë zhvillimin e procesit gjyqësor. [viii]

Përjashtimisht, mbyllja e gjykatave arsyetohet në procese gjyqësore që përfshijnë fëmijë. Ndonjëherë gazetarët lejohen të raportojnë për rastin duke përshkruar detajet e krimit, zhvillimet në gjykatë dhe vendimin përfundimtar por duke mos identifikuar në asnjë mënyrë të miturit e përfshirë në rast. Gazetarët, varësisht në cilin shtet jetojnë, inkurajohen të konsultojnë legjislacionin vendor përpara transmetimit dhe publikimit të fotografive gjatë raportimit nga gjykatat.

7.2.1. Raste gjyqësore nga GjEDNj

Shteti duhet të sigurojë që mediat dhe publiku të ndjekin gjykimet


Shteti është i obliguar që të ndërmarrë masa shtesë që të sigurojë që mediat dhe publiku të informohen dhe të kenë qasje për të ndjekur gjykimin.

Riepan kundër Austrisë


Oliver Riepan, një qytetar austriak që akuzohej për vepra të rënda penale, ishte dënuar në një seancë gjyqësore që ishte mbajtur në burg pa seancë të hapur për publikun [ix] .Seanca ishte mbajtur në burg meqë ai po vuante një dënim tjetër prej 18 vjetësh për vrasje dhe vjedhje. Gjatë kohës së paraburgimit ai ia kishte arritur të ikte nga burgu por ishte arrestuar brenda ditës.

Veprat e reja penale për të cilat ishte gjykuar në ambientet e burgut ai i kishte kryer gjatë qëndrimit në burg. Reipan ishte transferuar në një burg të sigurisë së lartë dhe aty ai kishte kërcënuar që do të digjte burgun dhe po ashtu kishte kërcënuar një roje burgu. Për këtë arsye ishte vendosur që gjykimi të bëhej brenda në burg. Reipan u ankua në GjEDNj nën pretendimin se i ishte mohuar e drejta e gjykimit të hapur në procesin gjyqësor kundër tij.

Gjykata vendosi që mbajtja e gjykimit jashtë gjykatës, në një vend siç është burgu, në të cilin nuk ka qasje publiku, përbën një pengesë seriozë të natyrës së saj publike. Në raste të tilla, shteti është i obliguar që të ndërmerr masa shtesë që të sigurojë që mediat dhe publiku të informohen dhe të kenë qasje në ndjekjen e gjykimit. Për këtë arsye, GjEDNj vendosi në favor të Oliver Riepan.


Gazetarët duhet të respektojnë të drejtën e prezumimit të pafajësisë


Gazetarët që shkruajnë shkrime për procese të hapura penale duhet të sigurohen që të mos tejkalojnë kufijtë e përcaktuar në interes të administrimit të mirë të drejtësisë dhe se duhet të respektojnë të drejtën e prezumimit të pafajësisë së palëve të përfshira.

Du Roy dhe Malaurie kundër Francës

Një gazetar dhe mediumi ku ai punonte kishin raportuar për një rast gjyqësor që përfshinte një padi të një kompanie që menaxhonte hotele për punëtorët emigrantë kundër ish drejtorit të saj. [x] Gazetari ishte dënuar nga gjykatat vendore pasi që baza ligjore në Francë ndalonte publikimin e rasteve gjyqësore të iniciuara nga palët private, siç ishte rasti në fjalë, para se të merrej vendimi final gjyqësor. Franca argumentonte se ligji kishte për qëllim të zbatonte parimin e prezumimit të pafajësisë. Gazetari dhe media ku ai punonte u ankuan në GjEDNj për cenim të së drejtës për liri të shprehjes.

Gjykata tha se gazetarët që shkruajnë shkrime për procese të hapura penale duhet të sigurohen që të mos tejkalojnë kufijtë e përcaktuar në interes të administrimit të mirë të drejtësisë dhe se duhet të respektojnë të drejtat e prezumimit të pafajësisë të palëve të përfshira. Mirëpo, gjykata argumentoi se legjislacioni në Francë ofronte procedura të tjera të mjaftueshme që siguronin të drejtën e prezumimit të pafajësisë së palëve të përfshira prandaj edhe vendosi në favor të gazetarit.


Nuk i takon gazetarit të vendosë nëse dikush është fajtor


Është roli i prokurorit dhe jo i gazetarit që të vendosë nëse një person është fajtor.

Worm kundër Austrisë



Gazetari austriak Alfred Worm ishte dënuar nga një gjykatë në Vjenë pasi kishte publikuar një artikull në një rast gjyqësor ende të papërfunduar kundër ministrit të financave të asaj kohe. [xi] Gjykimi kishte të bënte me veprën penale shmangie nga tatimi. Shkrimi ishte shumë kritikues ndaj ministrit dhe ndër të tjera thoshte se qarkullimi i parave në shtatë llogari bankare të ministrit në fjalë për të cilat nuk ishin deklaruar tatime nuk mund të interpretohej ndryshe përveç se shmangie nga tatimi. Gazetari ishte dënuar me gjobë ose 20 ditë burg për ushtrim të ndikimit të ndaluar. Gazetari u ankua në GjEDNj nën pretendimin se gjykatat vendore ia kishin shkelur të drejtën e lirisë së shprehjes.
Sipas GjEDNj-së, gazetarët derisa komentojnë proceset gjyqësore nuk mund të publikojnë deklarata që mund të paragjykojnë gjykimin e drejtë të një personi. Është roli i prokurorit dhe jo i gazetarit që të vendosë nëse një person është fajtor. Gjykata nuk vendosi në favor të gazetarit. Sipas gjykatës, dënimi i gazetarit ishte në pajtim me legjislacionin vendor i cili ndalonte diskutimin e proceseve penale në atë mënyrë që do të mund ta ndikonte vendimin final të rastit. Gjykata, sidoqoftë, bëri me dije se shtetet nuk kanë të drejtë të ndalojnë çdo lloj diskutimi të proceseve gjyqësore por në rastin konkret edhe ish ministri financave kishte të drejtë në gjykim të drejtë. Gazetari e humbi rastin.


Nuk duhen botuar dokumentet që nuk janë bërë publike në gjykatë


Interesi në dhënien e informacioneve për zhvillimet e rastit dhe interesi i publikut për të marrë informacione të tilla nuk mbizotëronin mbi të drejtën e prezumit të pafajësisë së të rinjve.

Tourancheau dhe July kundër Francës



Më 1996 gazeta franceze Libération publikoi një artikull për një rast vrasjeje ku përfshiheshin disa adoleshentë. [xii] Procesi gjyqësor për rastin në fjalë ende po zhvillohej dhe dy të rinjtë ishin nën hetime. Shkrimi citonte deklarata të të rinjve të cilat i kishin dhënë në polici. Gazetari dhe redaktori ishin dënuar me gjobë për shkak se kishin botuar dokumente ende pa u bërë publike në gjykatë. Për këtë arsye ata iu drejtuan GjEDNj-së nën pretendimin se iu është cenuar e drejta e lirisë së shprehjes e garantuar me nenin 10 të Konventës.
Gjykata nuk vendosi në favor të gazetarëve. Duke qenë të njoftuar për kufizimet ligjore, gazetari dhe redaktori është dashur ta dinë që do të mund të ndiqeshin penalisht. Sipas gjykatës, interesi në dhënien e informacioneve për zhvillimet e rastit dhe interesi i publikut për të marrë informacione të tilla nuk mbizotëronin mbi të drejtën e prezumit të pafajësisë së palëve të përfshira.


Nuk lejohet fotografimi i të dënuarave duke dalë nga gjykata


Ndalimi me ligj për të bërë fotografi të të dënuarve pasi të dalin nga gjykata është brenda marzhit të vlerësimit të një shteti.


Egeland dhe Hanseid kundër Norvegjisë


Redaktori dhe kryeredaktori i një gazete të madhe në Norvegji kishin publikuar fotot e një gruaje derisa po shoqërohej – e shqetësuar - nga gjykata në veturë. [xiii] Ajo ishte dënuar më 21 vjet burg për pjesëmarrje në një vrasje. E dënuara nuk ishte ndjerë mirë as gjatë leximit të vendimit të gjykatës. Ajo nuk kishte dhënë leje për fotografi dhe avokati i saj u mundua ta parandalonte fotografimin e saj.
Redaktori dhe kryeredaktori i një gazete të madhe në Norvegji kishin publikuar fotot e një gruaje derisa po shoqërohej – e shqetësuar - nga gjykata në veturë. Ajo ishte dënuar më 21 vjet burg për pjesëmarrje në një vrasje. E dënuara nuk ishte ndjerë mirë as gjatë leximit të vendimit të gjykatës. Ajo nuk kishte dhënë leje për fotografi dhe avokati i saj u mundua ta parandalonte fotografimin e saj.
Sipas gjykatës në Strazburg, ndalesa ligjore për të bërë fotografi të të dënuarve pasi të dalin nga gjykata është brenda marzhit të vlerësimit të një shteti dhe se Gjykata Supreme vendore kishte ofruar mjaft fakte për ta arsyetuar vendimin e saj. GjEDNj vendosi se nuk kishte shkelje të të drejtës së lirisë së shprehjes së gazetarëve.

7.3. Mbrojtja e të dhënave personale

Gjatë raportimit nga gjykatat, shpesh herë hasen probleme në publikimin e të dhënave personale në media.
Gazetarët shpesh ndodhen përballë sfidës së publikimit të sa më shumë detajeve lidhur me një histori të caktuar. Raportimi në detaje është tepër joshës për gazetarët të cilët duan t'i ofrojnë publikut diçka të veçantë nga historia që do të publikohet nga shumë media.
Në epokën e sotme dixhitale, ku informacioni qarkullon me shpejtësi të lartë, nga shumë burime e kudo, mbrojtja e të dhënave personale është një sfidë e vështirë.
Procesimi ligjor i të dhënave personale duhet të respektojë si parime të përgjithshme dhe të garantojë të drejtat themelore dhe liritë e personit, veçanërisht të drejtën për privatësi.
Institucioni përgjegjës për zbatimin dhe monitorimin e zbatimit të këtij projektligji është Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale [xiv] . Ky institucion ka publikuar edhe një manual [xv] mbi mbrojtjen e të dhënave në fushën e medias në vitin 2013, që mund të ndihmojë gazetarët, kërkuesit dhe ekspertët e medias t'i përdorin me kujdes këto rregulla.
Procesimi ligjor i të dhënave personale duhet të respektojë si parime të përgjithshme dhe të garantojë të drejtat themelore dhe liritë e personit, veçanërisht të drejtën për privatësi. Institucioni përgjegjës për zbatimin dhe monitorimin e zbatimit të këtij projektligji është Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Komisioneri përcakton udhëzime specifike në rastet kur të dhënat shqyrtohen për qëllime gazetarie, letërsie apo studimi të mëtejshëm.
Një gazetar i mirë duhet gjithnjë të balancojë interesin publik dhe respektin për privatësinë dhe dinjitetin e viktimave dhe familjarëve gjatë raportimit të krimit.

Më poshtë janë përmbledhur disa raste studimore mbi problematika të ndryshme të raportimit mediatik në të kaluarën, si dhe veprimet e ndërmarra dhe rekomandimet e dhëna nga institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.


Rasti i Nazime Vishës

Rasti i 18-vjeçares Nazime Visha, e akuzuar dhe më pas dënuar për vrasjen e abuzuesit të saj, Fiqiri Muça në gusht 2012 shkaktoi një debat të gjerë lidhur me vendimin për të publikuar të dhëna personale në media. Disa gazeta të përditshme publikuan informacione personale, SMS, detaje të viktimës, personave të dyshuar si abuzues dhe familjeve të tyre, menjëherë pas publikimit të informacionit lidhur me krimin. Mesazhet që u gjetën në një telefon celular në shtëpinë e viktimës u publikuan për disa ditë në media. Mesazhet zbuluan një histori dashurie mes viktimës dhe të dyshuarës dhe patën një ndikim të caktuar në opinionin publik lidhur me çështjen. Publikimi i këtyre mesazheve, në kundërshtim me Kodin e Etikës dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale [xvi] , mund të shkaktonte ndikim edhe në mënyrën e gjykimit të rastit si dhe dhënien e dënimit.
Sipas Kodit të procedurës Penale (neni 104 [xvii] ) dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale [xviii] , detajet personale nuk duhet të publikohen në media.


Zbulimi i identitetit të minorenes së larguar nga shtëpia

Në Maj 2011, një gazetë e përditshme në artikullin me titull:”Adoleshentja nga Mulleti, prej 3 ditësh e “zhdukur” shkruan:
“Një 16 vjeçare e quajtur xxxxyyyy, ka 3 ditë që është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më aty. Ndërkaq i shqetësuar për fatin e vajzës së tij, babai i saj një 36 vjeçar nga Mulleti i Tiranës ka denoncuar humbjen e saj në polici. Xxxx yyyy, 36 vjeç është paraqitur në komisariatin nr.4, në kryeqytet dhe ka denoncuar humbjen e vajzës......”
Përfaqësuesi i gazetës ka pretenduar se, ky artikull ishte hedhur në gazetë sipas një komunikate për shtyp që Drejtoria e Policisë, Rajoni nr.4, Tiranë e kishte vënë ne dispozicion, jo vetëm të asaj gazete, por dhe të disa gazetave të tjera.
Nga ana e grupit të kontrollit është kërkuar të vihet në dispozicion kjo komunikatë. Kjo, jo për faktin se kjo komunikatë e justifikonte këtë gazetë, për artikullin e shkruar, pasi, media e shkruar dhe ajo vizive duhet të jenë të kujdesshme në nxjerrjen e të dhënave personale të shtetasve, duke i anonimizuar këto të dhëna ose duke nxjerrë vetëm inicialet. Komunikata nuk është vënë në dispozicion, me pretendimin se burimi i informacionit nuk ishte zyrtar, por konfidencial.


Komisioneri ka rekomanduar:
  • a. Ruajtjen e anonimatit të subjekteve të të dhënave, të cilët janë pjesë e lajmit, dhe sidomos kur është fjala për minorenet apo adoleshentët.
  • b. Realizimin e publikimit vetëm të inicialeve të subjekteve të të dhënave, të cilët janë pjesë e lajmit.
  • c. Minimizimin e të dhënave që identifikojnë subjektin, sa më shumë të jetë e mundur.

Dëshmia e dëshmitarit okular si dhe identiteti i tij publikohen të plota nga një televizion kombëtar

Në vitin 2015, një shtetas pretendoi se dëshmia dhe identiteti i tij u publikuan në edicionin qendror të lajmeve të një televizioni kombëtar në cilësinë e dëshmitarit okular të një ngjarje të bujshme të ndodhur në Tiranë kohë më parë e po ashtu edhe videon e shfaqur në faqen e internetit të këtij televizioni ku zbulohet identiteti i tij.
Në rastin konkret, rezultoi se nuk është bërë balancimi i drejtë i bërjes publike të lajmit midis bërjes publike për interes publik dhe mbrojtjes së privatësisë së subjektit.
Interesi publik në këtë rast ka të bëjë me identitetin e personave të akuzuar dhe nën hetim dhe jo me dëshmitarin. Në mënyrë të veçantë nuk duhet të zbulohet identiteti i dëshmitarit, kur mund të vijë si pasojë vënia në rrezik e jetës ose e sigurisë së tij. Në bërjen publike nuk është bërë një seleksionim i informacioneve, me qëllim që të respektohet privatësia e personave të përfshirë në ngjarje, publikimi i të dhënave të të cilëve nuk ka lidhje me thelbin e lajmit, krahasimisht me bërjen publike të informacionit që ka interes në publikimin e lajmit.
Edhe në prezencën e një fakti në interes të publikut, publikimi i të dhënave personale duhet të respektojë parametrat e thelbit të informacionit.

Komisioneri rekomandoi:

  • a) Marrjen e masave teknike dhe organizative të këtij kontrolluesi për të bërë të mundur mosidentifikimin e dëshmitarit në videon e publikuar në faqen e internetit, dhe
  • b) Në çdo rast të balancohet dhe të mos anashkalohet respektimi i të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale.

Zbulimi i identitetit të nënës birësuese dhe fëmijës së birësuar

Një prej televizioneve kombëtare ka trajtuar rastin e një birësimi në në emisionin “Njerëz të humbur” në mars të vitit 2010. Z.K është ankuar pranë zyrës së Komisionerit për publikimin e të dhënave personale të saj në cilësinë e birësueses, dhe të birësuarit të saj.
Ligji i jep të drejtën vetëm familjes birësuese dhe të birësuarit, për të vendosur rreth origjinës së të birësuarit apo për të mbledhur të dhëna rreth historisë së birësimit. Nga kontrolli i ushtruar ka rezultuar se televizioni është vënë në lëvizje me kërkesë të nënës biologjike.
Televizioni gjatë mbledhjes, përpunimit dhe publikimit të të dhënave nuk ka respektuar dinjitetin vetjak të prindërve birësues apo të vetë të birësuarit, për më tepër gazetarët nuk duhet të bënin publike pa miratimin e prindërve birësues lajmin se një fëmijë është birësuar.
Komisioneri rekomandoi fshirjen dhe shkatërrimin e të gjithë materialeve dhe të dhënave të grumbulluara për rastin e trajtuar në emisionin “Njerëz të Humbur”, që lidhet me prindërit birësues dhe të birësuarin A.M.

7.4 Interesi publik dhe respekti për privatësinë

Kur vjen puna të diskutimi i privatësisë, një gazetar i mirë duhet gjithnjë të balancojë interesin publik dhe respektin për privatësinë dhe dinjitetin e viktimave dhe familjarëve gjatë raportimit të krimit. Duhet të ketë arsye shumë të forta në shkeljen e privatësisë dhe justifikimin e këtij vendimi. Shkelja mund të ndodhë në dy faza; grumbullimi i të dhënave si dhe publikimi i materialit ku ka shkelje të hapur të privatësisë.

Gjithnjë duhet të mbajmë parasysh se sjelljet private, informacioni dhe korrespondenca apo bisedat nuk duhet të vendosen në dritën e publikut vetëm nëse ka një interet shumë të madh të publikut që e përjashton të drejtën e privatësisë.

Në fakt, nuk ka një përshkrim të saktë të interesit publik.

Interesi publik përfshin, por nuk është i kufizuar në:

  • • Ekspozimin apo evidentimin e krimit;
  • • Ekspozimin e korrupsionit apo padrejtësive;
  • • Ekspozim të sjelljeve antisociale;
  • • Zbulim i mungesës së kompetencës apo neglizhencës;
  • • Mbrojtje e sigurisë dhe shëndetit publik;
  • • zbulim i informacionit që ndihmon njerëzit të marri vendime në fusha të rëndësisë publike;
  • • Të parandalojë njerëzit të keqdrejtohen nga deklarata, veprime të një individi apo organizate.

Në një kuptim më të gjerë, ka një interes publik në lirinë e shprehjes gjithashtu.

Kur mendojmë se çfarë përbën interes publik e çfarë jo, duhet të mbajmë parasysh se çfarë informacioni ka aktualisht publiku dhe ose çfarë do të bëhet publike së shpejti. Media duhet të ketë respekt për privatësinë dhe nuk duhet ta shkelë atë pa një arsye shumë të fortë. Respektimi i këtyre detyrimeve etike, rregullatore dhe ligjore kërkon një balancë të qartë mes privatësisë dhe të drejtës për të servirur informacion në interes të publikut.

Mbrojtja e të dhënave rregullohet me ligjin e posaçëm, ndërsa ka udhëzues që ndihmojnë gazetarët, kërkuesit, specialistët e fushës apo përfaqësuesit e institucioneve si ti përdorin me kujdes këto rregulla.

Gazetarët duhet të respektojnë nderin dhe reputacionin e individëve që bëhen objekte të interesit të tyre profesional. Gazetari duhet të respektojë të drejtën e individëve për privatësi. Vetëm mbrojtja e interesit të shoqërisë mund të justifikojë hetimet gazetareske që ndërhyjnë në jetën private të personit.

Gazetarët duhet të përdorin kamerat e fshehta/ mikrofonat, identitetin e rremë, ose të mos bëjnë të ditur identitetin e tyre profesional vetëm në rast se këto janë mënyra e vetme për të zbuluar informacione me rëndësie jetike për interesin publik; metodat e përdorura duhet të bëhen të ditura gjatë raportimit.

Gazetarët nuk duhet të tërheqin kurrë vëmendjen ndaj aspekteve personale ose private, nëse ato nuk janë të rëndësishme. Përdorimi “i beftë” i kamerave në publik apo institucione duhet të bëhet duke respektuar dëshirën dhe ndjeshmërinë e të pranishmëve.

Figurat publike kanë më pak të drejtë për privatësi; megjithatë, informacioni mbi jetën e tyre private mund të bëhet i njohur vetëm nëse përbën interes publik.

7.5 Kufizimet në raportim

Pavarësisht nga interesi i gazetarëve për të siguruar dhe publikuar sa më shumë informacion, gjithnjë do të ketë kufizime në raportim mbi bazën e parimeve themelore të të drejtave të njeriut si dhe standardeve profesionale.

Ka disa lloje kufizimesh që zbatohen automatikisht dhe të tjera që janë në diskrecion të gjykatës. Gjykata ka për detyre të mbrojë integritetin e procesit ligjor nga ndikimi i jashtëm. Ka disa raste në të cilat gazetarët e shpërfillin gjykatën duke publikuar informacione paragjykuese ndërsa çështja është ende në gjykim.

Një paragjykim serioz mund të jetë për shembull publikimi i dënimeve të mëparshme të personit në gjykim. Raportimet nga gjyqet zakonisht janë të sigurta për sa kohë që janë të kujdesshme dhe të vërteta dhe nuk janë vendosur kufizime për to.
Gazetarët thonë se kur rastet që ata ndjekin janë me interes publik, atëherë edhe historia e tyre e mëparshme do të duhet të përfshihet në raportim për të krijuar një ide më të qartë.

Lidhur me ndikimet në gjykime nga publikimi i rasteve të mëparshme, nuk ka legjislacion të posaçëm në vend dhe kjo e bën më të lehtë për gazetarin të publikojë të tilla informacione. Gjithashtu ka raste në të cilat sekreti tregtar apo ushtarak është i përfshirë ndaj gjyqet nuk janë të hapura dhe informacionet të kufizuara. Në rastet e sekretit hetimor, ka një rregullore të qartë të policisë e prokurorisë sipas të cilës, informacionet nuk duhen publikuar në media.

Ndjekja e lajmeve në vazhdimësi është një tjetër pikë e dobët në raportimin e rasteve nga policia dhe gjyqësori. Redaktorët pohojnë se kjo ndodh sepse nuk ka më interes publik, por edhe numri i gazetarëve në redaksi është gjithnjë e më i kufizuar.

7.6 Shpifja dhe rreziku i përballjes me gjykatën

Gjatë punës së përditshme të raportimit të lajmeve, cilido gazetar, në rast pakujdesie, mund të përballet me gjykatën. Kjo sepse çdo individ mund të akuzojë për shpifje apo dëmtim të reputacionit shkaktuar nga materiali i transferuar te një palë e tretë, përfshi këtu edhe materialin e publikuar online.

Kjo sferë e ligjit quhet shpifje apo fyerje dhe mbetet një nga çështjet më të mprehta të medias cilado qoftë ajo, shoqëruar me pasoja financiare nëse informacioni është i gabuar. Ky është koncept i njohur për gazetarët në Shqipëri, megjithëse shumë prej tyre pranojnë se nuk e kanë parë shpesh si sfidë apo pengesë në raportimin e tyre.

Çfarë është një deklaratë shpifëse?

Sipas Kodit Penal të Shqipërisë [xix] , një deklaratë shpifëse përkufizohet si: “Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit.” Bazuar në dispozitat që iu shtuan kodit penal më 2012, fyerja dhe shpifja janë klasifikuar si shkelje që dënohen me gjobë.

Bazuar në dispozitat që iu shtuan kodit penal më 2012, fyerja dhe shpifja kanë klasifikuar si shkelje që dënohen me gjobë. Një çështje penale për shpifje apo fyerje mund të përndiqet privatisht nga viktima që e pretendon dhe nuk përfshin policinë apo prokurorinë. Gjithsesi, një dënim në bazë të secilit nen do të jetë sërish e shënuar në kartelën penale të gazetarit, redaktorit apo çdokujt që shpallet fajtor.

Çështjet civile për shpifjen rregullohen nga neni 625 i kodit civil i cili mbulon dëmet jopasurore. Bazuar në këtë nen të ri, artikulli që shkakton dëm te reputacioni i dikujt duhet të provohet nga paditësi në mënyrë që të kërkojë dëmshpërblim. Bazuar në nenin 647, i cili përkufizon kriteret për vlerësimin nëse i akuzuari duhet apo jo të mbahet përgjegjës për shkaktimin e dëmit ndaj reputacionit të dikujt, sasia e kompensimit duhet të jetë proporcionale me dënim dhe të mos përdoret për ndëshkimin e të akuzuarit.

Kodi civil përcakton 11 faktorë joshterues që duhet të merren parasysh kur gjykata përcakton përgjegjësinë. Këto përfshijnë: nëse akuzat përbëjnë një fakt apo një opinion; nëse ato janë të vërteta apo të pavërteta apo përbëjnë referenca të sakta për deklaratat e palëve të treta; nëse ato lidhen me “çështje të interesit publik apo persona me funksione qeveritare apo që garojnë në zgjedhje”; dhe nëse autori i është nënshtruar rregullave apo etikës profesionale.

7.7 Si të raportojmë nga gjykata

Në këtë seksion të këtij manuali do të paraqiten një numër këshillash praktike që i ndihmojnë gazetarët të shkruajnë lajme nga gjykata që janë të saktë, të balancuar dhe interesant.

Për çdo lajm për çështje gjyqësore që një gazetar raporton, është e rëndësishme që të përfshijë informacionin e mëposhtëm:

  • • Emrat, adresat, qytetin e origjinës dhe moshën e të pandehurve
  • • Akuzën për të cilën ato janë proceduar
  • • Shfajësimin ose pranimin e krimit nga i pandehuri
  • • Gjykatën në të cilën po mbahet gjykimi

Nuk ka shumë rëndësi sa zgjat një çështje gjyqësore. Edhe nëse ajo zgjat pak ditë ose shumë vite, këto detaje duhet të përfshihen në lajm sa herë raportohet për çështjen. Gjithashtu konsiderohet e rëndësishme që gazetari të japë në raportin e tij kur është e mundur:

  • • Emrin e gjyqtarit që udhëheq seancën, në mënyrë të veçantë kur shpallet verdikti
  • • Emrin e prokurorit dhe të avokatit mbrojtës
  • • Emrin dhe detajet personale të dëshmitarëve që citohen në lajm
  • • Çdo lajm duhet të përfshijë gjithashtu vendimin gjyqësor ose kur pritet të jepet vendimi mbi çështjen

Çështjet gjyqësore janë të mbushura me histori dhe ngjarje dramatike, por vetë procedura gjyqësore e fsheh dramën. Është detyra e gazetarit t’ia tejçojë publikut ngjarjet dramatike që fshihen pas procedurës. Për të arritur këtë gazetarët duhet të kenë parasysh këshillat e mëposhtme gjatë strukturimit të një shkrimi nga gjykata.

Hyrje

Hyrja e një shkrimi mbi një çështje gjyqësore që ka mbaruar duhet të fokusohet gjithmonë te krimi dhe jo tek çështja gjyqësore në vetvete. Në qoftë se një zyrtar është burgosur me 1 vit burg për korrupsion, hyrja duhet të raportoi shkeljen e ligjit dhe më pas në paragrafin e dytë dënimin.

Shembull

Një ish zyrtari i tatimeve mori 1 milionë lekë nga një biznesmen në shkëmbim të fshirjes së detyrimeve tatimore që ai kishte akumuluar. Të hënën Gjykata e Tiranës e gjeti fajtor zyrtarin për akuzën e korrupsionit pasiv dhe e dënoi me 1 vit heqje lirie.

Për shumë gazetarë fokusi tek krimi dhe jo dënimi i dhënë nga gjykata në hyrje ngjan shpesh i çuditshëm, sepse verdikti është më kohor. Por megjithatë, ato duhet të kenë parasysh se fakti i ri është pranimi i akuzës nga gjykata që tatimori mori 1 milionë lekë nga një biznesmen.

Ngjyrë

Disa çështje gjyqësore kanë më valencë mediatike se të tjera për shkak të faktorëve të ndryshëm, si për shembull përfshirja e një figure publike ose serioziteti i krimit. Raste të cilat janë raportuar gjerësisht kur kanë ndodhur. Është e këshillueshme që kur gazetarët i raportojnë këto raste nga gjykata, t’i shtojnë ‘ngjyrë’ raportimit të tyre.
Ngjyra në një lajm i referohet detajeve të cilat ndihmojnë një lexues në gazetë ose dëgjues në radio të vizualizojë atë që ka ndodhur, si për shembull përshkrimi i sallës së gjyqit, mënyra si dëshmitarët apo të pandehurit kanë folur apo atmosfera e krijuar në gjykatë.

Balancë

Gjatë raportimit të një seance gjyqësore është shumë e rëndësishme që të dëgjohen të dy palët – akuza dhe mbrojtja. Një lajm nga gjykata duhet të paraqesë në mënyrë të balancuar argumente nga të dy palët.

Saktësi

Për shkak se nuk lejohet regjistrimi në gjykatë, gazetarët duhet të mësohen të mbajnë shënime në mënyrë të shpejtë dhe të saktë. Ndryshe ato mund kërkojnë një kopje të regjistrimit audio të seancës që bëhet nga gjykata. Këto regjistrimi jepen nga gjykata kundrejt një tarife, për aq kohë sa bërja publike nuk bien ndesh me parashikimet e bëra në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.